Një Institut për Sistemet e Ushqimit

Feeding Albania po punon për krijimin e një instituti për studime cilësore në fusha të ndryshme lidhur me ushqimin, duke u fokusuar së pari në fushën e mbetjeve dhe humbjeve ushqimore. Instituti do të vlerësojë praktikat aktuale të shpërndarjes së ushqimit nga bizneset përkundrejt rregullave të shtetit. Ai do të sigurojë të dhëna studimore mbi varfërinë, urinë dhe do të sjellë sugjerime për ndërhyrje specifike në fushat e sigurisë ushqimore, urisë në prërgjithësi dhe në veçanti sipas rajoneve.

Është e rëndësishme të kuptojmë se sistemet e ushqimit përgjithësisht duhet të mirëmbahen vazhdimisht me qëllim që të mos dështojnë. Çdo dështim në sistemet e ushqimit mund të sillte pasoja të jashtëzakonshme për njerëzit dhe ekonominë e vendit tonë. Këtë ne e dimë mirë. Prandaj, do të vijojmë të vlerësojmë dhe të sigurojmë përmirësim të sistemeve aktuale të ushqimit me qëllim që ato të jenë më të forta dhe të qëndrueshme për të mbështetur njerëzit, organizatat humanitare, qeverinë dhe grupet e ndryshme të biznesit. Është ëndrra jonë që ky institut të kthehet në një hub mbi çështje të ushqimit në Shqipëri. Ne duam që të gjithë njerëzit tanë, pavarësisht situatave personale, të kenë akses në ushqim të bollshëm, të sigurtë dhe cilësor në çdo kohë.