Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs)
Organizata Feeding Albania operon mbi parimet e QËNDRUESHMËRISË dhe kontribuon në SDG 2.1 dhe SDG 12.3 të Kombeve të Bashkuara (United Nations):
- ZERO URI
2.1 Deri në vitin 2030, të eleminohet uria dhe të sigurohet e drejta e të gjithë njerëzve, në veçanti e të varfërve dhe e atyre që jetojnë në gjendje të vështirë, përfshirë foshnjat, për të patur ushqim të sigurt dhe të mjaftueshëm përgjatë gjithë vitit.
- KONSUM DHE PRODHIM I PËRGJEGJSHËM
12.3 Deri në vitin 2030, të përgjysmohen mbetjet ushqimore për frymë në nivel global, për të arritur në nivelet e shitjes me pakicë dhe të konsumatorit dhe të zvogëlohen humbjet e ushqimit përgjatë zinxhirëve të prodhimit dhe të furnizimit, duke përfshirë dhe humbjet pas korrjeve.
Statistikat tregojnë se, që nga fillimi i pandemisë së COVID19, numri i të uriturve në botë ka ardhur duke u rritur me kurbën ende të pastabilizuar në rënie. Roli ynë si banka ushqimi është ndihma dhe mbështetja me ushqim ndaj organizatave, komuniteteve lokale apo atyre që jetojnë në pasiguri. Ndërkohë që një e treta e ushqimit në botë që prodhohet për konsum njerëzor humbet, nga ana tjetër, së paku një në nëntë persona vuajnë nga uria ose kequshqyerja. Në raportin e tyre Waste Not Want Not Toward Zero Hunger, The Global Food Banking Network (GFN), thotë se bankat e ushqimit janë një zgjidhje green për urinë nëpër botë.
Bankat e ushqimit jo vetëm që ulin emergjencën e urisë, por gjithashtu sigurojnë një alternativë me kosto të ulët dhe me përfitim të madh për shoqërinë duke mos e lejuar ushqimin të shkojë dëm. Bankat e ushqimit përdorin energjinë e komuniteteve dhe të vullnetarëve në sinergji me njëra-tjetrën, për të shpëtuar ushqimin.
Vlera e rekuperimit të ushqimit mund të klasifikohet përgjithësisht në tre përfitime:
Së pari, përfitimi EKONOMIK
Ushqimi i cili është prodhuar për njerëzit, duhet të konsumohet nga njerëzit. E gjithë energjia dhe puna e hedhur për prodhimin, transportimin, transformimin apo ruajtjen e atij ushqimi, nuk ka pse të shkojë në koshin e plehrave.
Së dyti, përfitimi MJEDISOR
Me anë të ridrejtimit të ushqimit të tepërt, bankat e ushqimit, ulin emetimet e gazeve serë në atmosferë duke ndikuar drejtpërdrejtë në ruajtjen e klimës. Është tashmë e evidentuar që 8-10% e gazeve serë vijnë nga mbetjet dhe humbjet e ushqimit. Përveç kësaj, ushqimi që shpëtohet sjell zënien më pak të hapësirës së landfilleve ku hidhen mbetjet ushqimore.
Së fundmi, përfitimi SOCIAL
Ushqimi nuk ka pse të shkojë dëm ndërkohë që ka kaq shumë njerëz të cilët kanë nevojë për atë ushqim. Bankat e ushqimit e rekuperojnë ushqimin e tepërt, kur ai është plotësisht cilësor për konsum dhe e ridrejtojnë atë tek më nevojtarët e shoqërisë. Pra, ana sociale është motivimi kryesor i ekzistencës së Bankave të ushqimit.
Ne në Feeding Albania synojmë ngritjen e një rrjeti të mirëfilltë bankash ushqimi në vend. Ne besojmë se me të tilla inisiativa, mund të arrihen përfitimet e mësipërme për të zbutur efektet negative sociale si dhe ato mjedisore të mbetjeve të ushqimit.
Për më tepër, lutemi lexoni raportin më poshtë.
GFN_WasteNot.pdf (foodbanking.org)
Dokumentin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Shqip, të përgatitur nga Qendra Burimore e Mjedisit, mund ta gjeni në këtë lidhje:
https://feeding.al/wp-content/uploads/Objektivat-e-Zhvillimit-te-Qendrueshem.pdf