Si punojmë

Feeding Albania është një organizatë e cila përdor qasje të ndryshme ndaj sigurisë ushqimore në vend. Ajo ka për qëllim të themelojë dhe të avancojë sisteme ushqimi cilësorë të cilët u shërbejnë njerëzve si edhe planetit, ose ndryshe, të qëndrueshëm. Ne synojmë që të njihemi si një organizatë pionere në vendet në zhvillim në luftën kundër urisë.

Ndonjëherë me projekte target apo me fushata edukimi e ndërgjegjësimi, ndonjëherë me bashkëpunime me organizata lokale apo me shpërndarje direkte të pakove ushqimore ndaj familjeve në nevojë, ne duam të ndihmojmë në edukim se si njerëzit të jenë më të pavarur në fushën e ushqimit dhe në të njëjtën kohë të minimizojmë mbetjet ushqimore.

Do t’i shihni vullnetarët tanë duke transportuar një kotec pulash tek një familje në nevojë apo duke organizuar një fushatë ushqimore. Ndoshta do të na shihni duke mbledhur fruta e perime nga tregjet e shumicës apo duke shpërndarë thasë me miell.

Si një organizatë e gjelbër kundër urisë, ne luftojmë humbjet dhe mbetjet ushqimore me anë të praktikave të bankingut ushqimor duke ridrejtuar ushqim cilësor i cili nëse nuk do të shpëtohej, do të ishte hedhur. Operacionet tona në tërësi kanë një balancë negative CO2. Aktivitetet e organizatës mund të përmblidhen në këto kategori kryesore.

 

Ndërgjegjësim dhe Edukim

Ka shumë për t’u bërë në edukimin e të rinjve tanë mbi MBETJET dhe HUMBJET USHQIMORE. Gjatë eksperiencës sonë 10 vjeçare në banking ushqimor, kemi parë nevojë të madhe për trajnim, materiale cilësore dhe mbështetje për të rinjtë për të kapur vëmendjen e tyre ndaj jo vetëm varfërisë, por urisë specifikisht, mbetjeve të ushqimit dhe çështjeve të tjera të lidhura me to. Ne besojmë se edukimi qëndron si vlerë kryesore e komunitetit tonë dhe do të vijojmë me trajnim dhe ndërgjegjësim për krijimin e sistemeve cilësorë të ushqimit të cilët respektojnë mjedisin ndërkohë që ushqejnë njerëzit me ushqim të mirë e cilësor.

Ne jemi vazhdimisht në komunikim me aktorë ndërkombëtarë dhe çdo vit, observojmë Ditën Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit mbi Humbjet dhe Mbetjet Ushqimore si dhe Ditën Botërore të Ushqimit.

 

Rrjeti Save Food Albania

Thonë se mbetja ushqimore është problemi më ‘budalla’ mjedisor në të gjithë botën. Dhe ne jemi plotësisht dakort me të. Ne operojmë projekte ushqimi në terren mbi ridrejtimin e tepricave ushqimore tek njerëzit në nevojë; në këtë mënyrë duke ulur urinë dhe duke kontribuar në një rrjetë sociale më të fortë për organizatat tona partnere të rrjetit tonë.

Feeding Albania drejton Rrjetin Save Food Albania, një komunitet organizatash, biznesesh donatorë dhe institucione të cilët punojnë së bashku për ridrejtimin e tepricave ushqimore nga dhuruesit tek njerëzit në nevojë. Vetëm brenda pak muajve të parë të organizatës, ky grup shpëtoi rreth 30 tonë ushqim nga të hedhurit poshtë. Ai ndërkohë vazhdon të rritet. Ky ekip ka një potencial të madh për ridrejtimin e tepricave ushqimore me anë të aktiviteteve dhe projekteve edhe pse është ende në fazat e para të tij. Shumë mbetet për t’u bërë, ndërkohë që nevojiten vazhdimisht hapësirë magazinimi, vullnetarë dhe pajisje profesionale.

 

Një Institut mbi Sistemet e Ushqimit

Përpara se të bëjmë diçka, kemi nevojë që së pari të kuptojmë sistemet aktualë të ushqimit nga ferma e deri në pirunin e guzhinës sonë. Shumë prej praktikave agroushqimore të sotme, nuk kanë ndjeshmëri ndaj mjedisit. Kjo e ka bërë Shqipërinë një nga vendet me erozion ekstrem të tokës, me nivelin e rreth “2-3 herë më tepër se vendet e tjera Mesdhetarë dhe 10 deri në 100 herë më tepër se vende të tjerë Evropianë” (lutemi lexoni këtë raport).

Informacion i ulët për fermerët, ferma të vogla dhe të shpërndara në vende të ndryshme, një strategji përgjithësisht e palidhur mes institucioneve, mungesa e përkushtimit afatgjatë, interesat direkte personale si dhe shumë faktorë të tjerë, sjellin një nevojë të madhe për ndërgjegjësim dhe studime mbi sistemet e tanishme të ushqimit. Gjithashtu, këto kanë rezultuar në dëmtim të të korrave në afatin e gjatë duke ulur sigurinë ushqimore dhe cilësinë e ushqimit të prodhuar. Shkurtimisht, toka është dëmtuar; ajo prodhon më pak, dhe njerëzit as nuk e dinë këtë gjë. Nga ana tjetër, jo larg prej fshatit, mënyra urbane e të jetuarit vazhdon të dërgojë shumë mbetje ushqimore nëpër venddepozitimet e Shqipërisë. Rezulton, sipas nesh, që nuk ka një qasje gjithëpërfshirëse drejt respektimit të hierarkisë ushqimore. Kryesisht ka inisiativa individuale, të drejtuara nga përfitimi ekonomik të cilat nuk marrin parasysh pespektivën mjedisore.

Me anë të fushatave target, informacionit të dedikuar dhe praktikave inovative dhe teknologjisë në terren, është shpresa jonë se, do të jemi në gjendje të fillojmë një Institut mbi Sistemet Ushqimorë i cili do të përdorë një qasje sistemike për të asistuar, ndihmuar dhe edukuar njerëzit duke iu bashkëngjitur institucioneve shtetërorë dhe partnerëve të tjerë për rritjen e qëndrushmërisë së sistemeve aktualë të ushqimit. Përpjekjet tona së pari do të jenë në fushën e mbetjeve dhe humbjeve ushqimore (FLW) si problemi më akut dhe më i lehtë për t’u rregulluar me ndikim dhe përfitim shumë të madh.